Description
Abstrakt
Hyrje: Eritrodermia psoriatike është një variant i rrallë dhe i rëndë i psoriasis vulgaris, menaxhimi i së cilës përbën sfidë për personelin mjekësor. Ajo mund të shfaqet te pacientët me psoriazë ose si manifestimi i saj i parë, e nxitur nga infeksionet, stresi, medikamentet, obeziteti dhe sëmundjet malinje. Ky punim prezanton tre raste të hospitalizuara në QSUT, duke analizuar komplikacionet, terapinë dhe prognozën.
Prezantimi i rasteve: Rasti 1: Një pacient 62-vjeçar me komorbiditete (diabet tip 2, insuficiencë kardiake e renale, HTA, aritmi dhe obezitet) u paraqit në urgjencën e QSUT me temperaturë subfebrile, eritemë dhe deskuamim në >90% të trupit. Ekzaminimet fillestare treguan leukocitozë, anemi, limfopeni dhe rritje të lehtë të PCR-së. Pavarësisht antibiotikoterapisë sistemike dhe emolientëve lokalë, ditën e tretë gjendja u përkeqësua me ethe, thellim të anemisë, rritje të parametrave inflamatorë dhe fibrilacion atrial, duke përfunduar me exitus dy ditë pas transferimit në spitalin infektiv. Rasti 2: Një pacient 60-vjeçar me psoriasis vulgaris dhe hepatit viral B u shtrua me eritemë dhe deskuamim në ~80% të trupit, prurit dhe limfadenopati të gjeneralizuar në ekografi. Pas 4 javësh trajtimi me kortikosteroidë në dozë të ulët, antihistaminikë, antibiotikë sistemikë, emolientë lokalë dhe terapi UVB, doli i përmirësuar me reduktim 50% të lezioneve. Rasti 3: Një paciente 19-vjeçare me eritemë dhe deskuamim në >85% të trupit rezultoi me infeksion urinar dhe mbivendosje mikroskopike të skabiesit. Pas antibiotikoterapisë dhe përgjigjes së moderuar ndaj permetrinës lokale, aplikimi i ivermektinës sistemike solli përmirësim të dukshëm klinik.
Diskutim dhe Përfundime: Eritrodermia psoriatike është gjendje kërcënuese për jetën me vdekshmëri 10–15% dhe mungesë të protokollizimit standard. Terapia klasike me metotreksat dhe retinoide kufizohet shpesh nga komorbiditetet dhe komplikacionet sekondare, të cilat rëndojnë prognozën veçanërisht në moshat e treta. Bashkëpunimi multidisiplinar ndërmjet dermatologut, reanimatorit, internistit dhe infeksionistit është jetik për uljen e mortalitetit.