Description
Abstrakt
Hyrje: Plakja e popullsisë dhe transformimi i arsimit të lartë kanë ngritur pyetje të rëndësishme në lidhje me angazhimin e vazhdueshëm profesional të anëtarëve të fakultetit, mbi moshën 65 vjeç, në universitete. Ndërsa përvoja akademike e akumuluar dhe ekspertiza profesionale përfaqësojnë burime të vlefshme institucionale, kërkesat bashkëkohore në ndryshim të vazhdueshëm, kërkojnë një kuptim më të gjerë të kapacitetit akademik të punës dhe qëndrueshmërisë profesionale. Ky artikull konceptual synon të shqyrtojë marrëdhënien midis plakjes biopsikosociale, kapacitetit funksional dhe kërkesave pedagogjike dhe ndër-brezore në zhvillim të arsimit të lartë.
Metoda: Ky punim mbështetet në një përmbledhje integruese të literaturës teorike dhe empirike të botuar midis viteve 2016 dhe 2026. Artikulli eksploron ndërveprimin e pesë dimensioneve: funksionimin biologjik dhe njohës; mirëqenien psikologjike dhe emocionale, duke përfshirë lodhjen, motivimin, durimin dhe rregullimin emocional; kapacitetin funksional dhe performancën profesionale; përshtatshmërinë teknologjike dhe pedagogjike; dhe komunikimin ndër-gjeneracional në lidhje me ndryshimin e pritjeve dhe preferencave të të nxënit të studentëve. Vemendje e veçantë i kushtohet hendekut të mundshëm midis përvojës akademike të akumuluar dhe aftësisë për të përkthyer njohuritë në mënyrë efektive në mjediset bashkëkohore të mësimdhënies dhe të nxënit.
Rezultatet: Artikulli argumenton se mosha kronologjike nuk duhet të konsiderohet si një tregues i pavarur i kompetencës profesionale, dhe as vjetërsia akademike dhe reputacioni profesional nuk duhet të zëvendësojnë vlerësimin objektiv të performancës së mësimdhënies dhe kapacitetit funksional. Në vend të kësaj, qëndrueshmëria e punës akademike duhet të kuptohet përmes ndërveprimit dinamik midis karakteristikave individuale biopsikosociale, kërkesave profesionale, burimeve institucionale dhe nevojave të studentëve. Një kornizë konceptuale propozohet për të mbështetur një qasje më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për vlerësimin e angazhimit të vazhdueshëm akademik përtej 65 vjetësh, duke balancuar respektin për përvojën akademike me efektivitetin pedagogjik, përshtatshmërinë profesionale dhe cilësinë e të nxënit të studentëve.
Konkluzionet: Artikulli kontribuon në diskutimet mbi politikat akademike gjithëpërfshirëse të moshës, bashkëpunimin ndër-gjeneracional dhe të ardhmen e arsimit të lartë.
Fjalë kyçe: Plakja akademike, funksionimi biopsikosocial, mirëqenia emocionale, qëndrueshmëria profesionale, pritshmëritë e studentëve, arsimi i lartë.