Description
Hyrje:
Njohja e etapave të zhvillimit motorik dhe identifikimi i hershëm i shenjave paralajmëruese të vonesave zhvillimore janë elemente të rëndësishme për promovimin e zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve. Edukimi prindëror përbën një strategji mbështetëse në këtë proces. Studimi synon të vlerësojë nevojat, pengesat dhe preferencat e prindërve për edukimin mbi zhvillimin motorik në fëmijërinë e hershme, si dhe perceptimet e profesionistëve mbi njohuritë dhe nevojat edukative të prindërve.
Metodologjia:
U realizua një studim transversal, përshkrues, gjatë periudhës korrik–shtator 2026, përmes administrimit të dy pyetësorëve elektronikë. Kriter për përfshirjen në studim ishte pasja e një fëmije më të vogël se 5 vjec. Nga 523 pjesëmarrës në pyetësorin e prindërve, në analizë u përfshinë 381 prindër me fëmijën më të vogël të moshës 0–60 muaj, si dhe 80 profesionistë të fushave të ndryshme si mjek, pediatër, fizioterapist, logoped, psikolog, edukatorë etj. Të dhënat u analizuan duke përdorur statistika përshkruese, të shprehura në frekuenca dhe përqindje.
Rezultatet:
Nga 381 prindër, 94,8% e konsideruan thelbësor edukimin mbi etapat e zhvillimit, ndërsa 78% raportuan se ndiheshin të sigurt ose shumë të sigurt për të njohur vonesat motorike. Edukimi mbi shenjat paralajmëruese u konsiderua thelbësor nga 68,2%. Pengesat më të shpeshta ishin mungesa e informacionit të besueshëm (46,2%), mungesa e kurseve të disponueshme (40,4%) dhe mungesa e kohës (39,4%). Klasat edukative ballë për ballë me specialistë u preferuan nga 70,9% e prindërve, ndërsa 54,6% preferuan seanca 30–60-minutëshe. Nga profesionistët, 87,5% i vlerësuan njohuritë prindërore mbi shenjat paralajmëruese si të pakta ose me mungesë të theksuar; 91,3% mendonin se prindërit do të përfitonin nga një program i strukturuar dhe 85% sugjeruan fillimin e edukimit gjatë shtatzënisë.
Përfundime:
Mospërputhja ndërmjet vetëbesimit të raportuar nga prindërit dhe perceptimeve të profesionistëve sugjeron nevojën për vlerësim objektiv të njohurive prindërore; këto matje nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme. Rezultatet orientojnë hartimin dhe vlerësimin e programeve të strukturuara edukative,të përshtatura me nevojat dhe preferencat e prindërve të fëmijëve 0–5 vjeç, për njohjen e hershme të vonesave motorike dhe orientimin drejt shërbimeve të specializuara.
Fjalët kyçe: Fizioterapi, pediatri, motorika, zhvillim, edukim.