Description
Hyrje: Antibiotikorezistenca përfaqëson aftësinë e baktereve për t’i mbijetuar veprimit të antibiotikëve, duke e bërë trajtimin e infeksioneve më sfidues. Përballë kësaj sfide, antibiograma merr një rëndësi të veçantë si instrument thelbësor në përcaktimin e ndjeshmërisë bakteriale dhe orientimin drejt terapisë së përshtatshme.
Qëllimi: Të shqyrtojë zhvillimet e fundit të antibiotikorezistencës, rëndësinë e antibiogramës në orientimin e terapisë efektive, si dhe rolin e edukimit universitar në fuqizimin e njohurive dhe kompetencave të studentëve të fushave mjekësore për përdorimin racional të antibiotikëve.
Metodologjia: Hulumtim i literaturës bashkëkohore shkencore të publikuar në bazat e të dhënave PubMed, Scopus dhe Google Scholar, duke u mbështetur gjithashtu në raportet epidemiologjike të ECDC dhe rekomandimet e EUCAST për testimin dhe interpretimin e ndjeshmërisë antimikrobike.
Rezultatet: Rishikimi i literaturës evidenton se rezistenca antimikrobike mbetet një sfidë madhore, veçanërisht në rastin e patogjenëve me rëndësi klinike, si Escherichia coli, Klebsiella pneumoniae, Staphylococcus aureus dhe Pseudomonas aeruginosa. Rezistenca ndaj cefalosporinave të gjeneratës së tretë dhe karbapenemeve kufizon alternativat terapeutike dhe vështirëson menaxhimin e infeksioneve bakteriale. Gjetjet theksojnë rëndësinë e testimit të ndjeshmërisë antimikrobike dhe interpretimit të antibiogramës sipas standardeve EUCAST në orientimin drejt terapisë së targetuar dhe optimizimin e trajtimit. Në aspektin edukativ, literatura evidenton mangësi në njohuritë dhe kompetencat e studentëve të fushave mjekësore lidhur me mekanizmat e rezistencës bakteriale, interpretimin e antibiogramës dhe përdorimin racional të antibiotikëve. Këto gjetje nënvizojnë se njohja dhe interpretimi i saktë i antibiogramës, së bashku me zbatimin e parimeve të përdorimit racional të antibiotikëve, përbëjnë kompetenca thelbësore në formimin e profesionistëve të ardhshëm shëndetësorë.
Përfundimet: Lufta kundër antibiotikorezistencës kërkon një qasje të integruar, ku diagnostikimi mikrobiologjik dhe interpretimi i antibiogramës janë thelbësorë për përzgjedhjen e terapisë efektive. Në këtë drejtim, forcimi i njohurive dhe kompetencave të studentëve të fushave mjekësore përmes edukimit të strukturuar mbi rezistencën antimikrobike dhe përdorimin racional të antibiotikëve përbën një domosdoshmëri në përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm shëndetësorë dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Fjalë kyçe: Antibiotikorezistenca, antibiograma, edukimi mjekësor, studentët.