Description
Hyrje
Mikrobiota intestinale përbëhet nga rreth 10¹⁴ mikroorganizma dhe ndikon në tretjen, metabolizmin, imunitetin, detoksifikimin dhe shëndetin mendor. Disbioza, pra prishja e ekuilibrit të këtij ekosistemi, shkaktohet nga dieta e çekuilibruar, antibiotikët, stresi, sëmundjet, plakja dhe gjenetika. Ajo lidhet me sëmundje gastrointestinale, neurologjike, metabolike dhe gjinekologjike dhe mund të jetë e pranishme para shfaqjes së simptomave klinike.
Qëllime/Objektiva
Të paraqitet roli i analizës gjenetike të mikrobiomës intestinale si mjet për vlerësimin e hershëm të disbiozës dhe për ndërhyrje parandaluese të personalizuara, si dhe të përshkruhet interpretimi klinik i parametrave kryesorë të raportit.
Materiale dhe Metoda
U krye një rishikim narrativ i literaturës mbi mikrobiotën intestinale, faktorët që shkaktojnë disbiozën dhe pasojat e saj klinike. Rishikimi u shoqërua me paraqitjen e analizës së mikrobiomës nga mostra fekale përmes sekuencimit të gjeneratës së re (NGS). U përshkruan parametrat e raportit: diversiteti, indekset e ekuilibrit, prodhuesit e acideve yndyrore me zinxhir të shkurtër, sinteza e vitaminave, shënuesit e inflamacionit, integriteti i barrierës intestinale dhe boshti zorrë–tru.
Rezultate
Analiza NGS ofron një profil të plotë taksonomik dhe funksional të mikrobiotës. Raporti vlerëson diversitetin (indeksi Shannon), ngjashmërinë me popullatën e shëndetshme (Bray-Curtis), indeksin e shëndetit të mikrobiomës intestinale (GMHI) dhe raportin Bacillota/Bacteroidota. Vlerësohen gjithashtu prodhuesit e acideve yndyrore me zinxhir të shkurtër, që ushqejnë kolonocitet dhe ruajnë integritetin e barrierës, sinteza e vitaminave K, B2, B9 dhe H, si dhe prodhimi i H₂S, histaminës dhe GABA-s. Në rastin ilustrues, diversiteti i ulët dhe prodhuesit e rritur të H₂S treguan disbiozë të lehtë.
Konkluzione dhe Diskutime
Analiza gjenetike e mikrobiomës është një nga kufijtë më premtues të mjekësisë së precizionit. Ajo ka vlerë potenciale parashikuese, diagnostike, prognostike dhe terapeutike. Duke identifikuar ndryshimet funksionale para shfaqjes së sëmundjes, kjo analizë mundëson kalimin nga një qasje standarde në një qasje parandaluese dhe të personalizuar.
Rekomandime
Rekomandohet integrimi i analizës së mikrobiomës në programet e parandalimit, veçanërisht te individët me faktorë rreziku për disbiozë. Ky integrim duhet të kombinohet me ushqyerje klinike, probiotikë të përzgjedhur dhe, kur indikohet, transplant të mikrobiotës fekale.
Fjalë kyçe: mikrobiomë intestinale; disbiozë; sekuencim i gjeneratës së re (NGS); mjekësi parandaluese; mjekësi e personalizuar.