Description
Hyrje
Terapia me oksigjen hiperbarik (HBOT) po konsiderohet një ndërhyrje premtuese dhe inovative në fushën e fertilitetit, për shkak të efektit të saj në oksigjenimin e indeve, rigjenerimin qelizor dhe funksionin riprodhues. HBOT konsiston në marrjen e oksigjenit 100% nën presion të rritur, zakonisht 2.0 atmosfera absolute (ATA), duke rritur ndjeshëm sasinë e oksigjenit të tretur në plazmë dhe shpërndarjen e tij në indet periferike dhe ovariale.
Qëllime/Objektiva
Të përmblidhen mekanizmat biologjikë përmes të cilëve HBOT ndikon në funksionin riprodhues dhe të vlerësohet potenciali i saj si terapi komplementare në trajtimin e infertilitetit dhe në procedurat e riprodhimit të asistuar.
Materiale dhe Metoda
U rishikuan studime mbi efektet e HBOT në funksionin ovarial, endometrial dhe në rezultatet e procedurave asistuese riprodhuese. Vëmendje e veçantë iu kushtua efekteve në metabolizmin qelizor, funksionin mitokondrial, stresin oksidativ, angiogjenezën.
Rezultate
Furnizimi i shtuar me oksigjen përmirëson metabolizmin qelizor, stimulon rigjenerimin e mitokondrive dhe ul stresin oksidativ, duke krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillimin e folikujve, cilësinë e ovociteve dhe funksionin endometrial. HBOT nxit angiogjenezën dhe përmirëson mikrocirkulacionin në organet riprodhuese, duke siguruar furnizim adekuat me oksigjen dhe lëndë ushqyese për indet ovariale dhe endometriumin. Gjithashtu, ajo modulon inflamacionin, ul citokinat pro-inflamatore dhe mbron qelizat germinale nga dëmtimet oksidative. Studimet raportojnë përmirësim të densitetit dhe cilësisë së folikujve, forcim të endometriumit dhe rritje të normave të implantimit, me ndikim pozitiv në suksesin e fertilizimit in vitro (IVF).
Konkluzione dhe Diskutime
HBOT përfaqëson një strategji të avancuar për mbështetjen e fertilitetit, duke optimizuar mjedisin riprodhues dhe duke kontribuar në suksesin e procedurave asistuese. Si terapi joinvazive dhe përgjithësisht e sigurt, ajo mund të përdoret si komplement i trajtimeve tradicionale, duke ofruar një qasje integrative për rritjen e shanseve riprodhuese.
Rekomandime
Rekomandohet vlerësimi i HBOT si opsion komplementar në protokollet e trajtimit të infertilitetit, brenda një qasjeje multidisiplinare. Nevojiten studime të mëtejshme, mundësisht të randomizuara dhe me kampione më të mëdha, për të përcaktuar protokollet optimale, presionin, kohëzgjatjen dhe frekuencën e seancave, si dhe për të identifikuar grupet e pacienteve që përfitojnë më shumë.
Fjalë kyçe: oksigjen hiperbarik; infertilitet; funksion ovarial; endometrium; fertilizim in vitro.