Description
Abstrakt
Hyrje: Shqipëria po kalon një nga proceset më të shpejta të plakjes demografike në Evropë: pesha e popullsisë 65+ është rritur nga 5,3% në Censusin e vitit 1989 në 19,7% në Censusin e vitit 2023. Hipertensioni arterial është faktori kryesor i riskut të modifikueshëm për goditjen në tru dhe sëmundjet kardiovaskulare në këtë grupmoshë, ndërsa të dhënat kombëtare për të moshuarit mbeten të kufizuara. Objektivi i këtij studimi është të përmbledhë evidencën aktuale për veçoritë patofiziologjike dhe menaxhimin e hipertensionit në grupmoshën e të moshuarve dhe të analizojë të dhënat e disponueshme për popullsinë shqiptare.
Metodat: U krye një rishikim narrativ i literaturës në bazat e të dhënave PubMed, Scopus dhe Google Scholar për periudhën 2000–2026. U përfshinë udhëzimet e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC 2024), provat klinike kryesore te të moshuarit, studimet epidemiologjike shqiptare dhe raportet institucionale (INSTAT, ISHP).
Rezultatet: Me plakjen rriten rigiditeti arterial, disfunksioni endotelial dhe ndjeshmëria ndaj natriumit. Si pasojë, mbizotëron hipertensioni sistolik i izoluar, ndërsa efekti i “mantelit të bardhë” dhe hipotensioni ortostatik bëhen më të shpeshtë. Provat e kontrolluara konfirmojnë përfitimin e trajtimit edhe pas moshës 80 vjeç, me objektiv presioni të individualizuar sipas brishtësisë dhe tolerancës. Udhëzimet aktuale rekomandojnë që në fillim kombinim me dy barna: frenues të sistemit renin-angiotensinë (ACEI/ARB) me bllokues kanali kalciumi ose diuretik tiazid-ngjashëm. Spironolaktoni rekomandohet në hipertensionin rezistent, pasi të jetë përjashtuar mospërputhshmëria me terapinë.
Në Shqipëri, në fushatën May Measurement Month 2022, 39,7% e të rriturve kishin hipertension, por vetëm 36,8% e tyre e kishin të kontrolluar. Te të moshuarit në Tiranë, pothuajse gjysma kishin hipertension të pakontrolluar dhe rreth një e dhjeta të padiagnostikuar. Mungojnë të dhënat kombëtare për moshën 65+, zonat rurale, dhe polifarmacinë.
Përfundime: Hipertensioni tek të moshuarit në Shqipëri karakterizohet nga kontroll i pamjaftueshëm dhe diagnostikim i vonuar, në kontekstin e një plakjeje të shpejtë demografike. Nevojiten studime kombëtare për moshën 65+, si dhe forcim i depistimit dhe ndjekjes në kujdesin parësor.
Fjalë kyçe: hipertension; të moshuar; hipertension sistolik i izoluar; kontroll i presionit arterial; Shqipëri