Description
VLERËSIMI I SHËNDETIT MENDOR TË GRAVE NË PERIUDHËN POSTPARTUM DHE ROLI I MAMISË
FELLANZA ALLUSHI , DANIELA TASHA
*Autori korrespondent Fellanza Allushi , e-mail fellanza.allushi@umed.edu.al
Lektore Fakulteti Shkencave Mjekësore Teknike, Universiteti Mjekësisë, Tiranë
ABSTRAKT
Hyrje: Shëndeti mendor pas lindjes është një komponent jetik i mirëqenies së gruas dhe të fëmijës. Depresioni postpartum prek një përqindje të konsiderueshme të nënave dhe shpesh mbetet i pazbuluar. Mamia, si profesionistja që ndjek nga afër nënën pas lindjes, ka një pozicion unik për të identifikuar shenjat e hershme të çrregullimeve mendore.
Qëllimi i studimit është vlerësimi i rolit mamisë në identifikimin e hershëm të simptomave të depresionit dhe ankthit pas lindjes, si dhe të analizohen mjetet dhe ndërhyrjet që përdor për të mbështetur nënat gjatë kësaj periudhe.
Metodologjia: U krye një studim përshkrues në një qendër shëndetësore urbane, duke përfshirë 60 gra në javën e parë dhe të katërt pas lindjes. U përdor skala Edinburgh për depresionin postpartum (EPDS), e kombinuar me vëzhgim dhe pyetësor të strukturuar për mamitë. Analiza u bë përmes përqindjeve dhe krahasimeve mes grupeve.
Rezultatet:Na rezultoi se 25% e grave kishin rezultat ≥13 në EPDS, duke treguar rrezik për depresion. Në 80% të rasteve, ishte mamia që e identifikoi e para shqetësimin mendor përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Vetëm 40% e mamive kishin marrë trajnim të posaçëm mbi shëndetin mendor maternal. U konstatua nevoja për bashkëpunim më të mirë me mjekët psikiatër dhe psikologët klinikë.
Konkluzione: Mamitë luajnë një rol kyç në zbulimin e hershëm të çrregullimeve mendore pas lindjes, por kanë nevojë për më shumë trajnim dhe mbështetje strukturore për të reaguar në mënyrë efektive ndaj rasteve.
Rekomandime: Trajnime të detyrueshme për mamitë mbi çrregullimet mendore perinatale. Integrimi i vlerësimit psikologjik në ndjekjen rutinë post-partum.Rritja e bashkëpunimit me specialistët e shëndetit mendor.
Fjalët kyçe: gratë,shëndet mendor,postpartum,mami,suport psikologjik