Description
Hyrje: Leptospiroza është një sëmundje zoonotike me përhapje globale, e shkaktuar nga bakteret spirokete patogjene të gjinisë Leptospira. Transmetimi te njerëzit ndodh kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me urinën e kafshëve të infektuara, veçanërisht të brejtësve, ose me mjedise të kontaminuara si uji dhe toka. Ky studim ka për qëllim të vlerësojë seroprevalencën e infeksionit nga Leptospira spp. dhe të analizojë rolin e ekspozimit profesional në dinamikën e përhapjes së tij.
Metoda: Ky punim bazohet në analizën e të dhënave epidemiologjike mbi seroprevalencën e Leptospira spp. në popullatën e përgjithshme dhe në grupet e ekspozuara profesionalisht të cilat janë diagnostikuar pranë Institutit të Shëndetoit Publik përgjatë një viti. Janë shqyrtuar faktorët e riskut të lidhur me mjedisin e punës, metodat diagnostikuese serologjike, si dhe masat parandaluese të zbatuara në sektorët me rrezik të lartë.
Rezultate: Mosha mesatare në këtë studim rezultoi 48.3±12.3 years me nje interal min to max [15-78]. Rezltoi një predominancë e gjinisë meshkuj me 72.3% të rasteve. Të dhënat e seroprevalencës së Leptospira spp, në 101 raste të testuara rezultoi 19.8% për antitrupat IgM dhe 9.9% për anttrupat IgG. U vu re një luhatje të ndjeshme në varësi të zones së banimit, kushteve klimaterike dhe nivelit të higjienës mjedisore. Ekspozimi profesional rezulton një nga determinuesit kryesorë të infeksionit. Grupet më të rrezikuara përfshijnë fermerët-bujqit, blegtorët, punëtorët e kanalizimeve dhe të grumbullimit të mbetjeve, muratorët si dhe mekanikët dhe shoferët. Prania e brejtësve në ambjente raportohet në 89.1% të rasteve. Gjithashtu mungesa e pajisjeve mbrojtëse personale dhe kontakti i vazhdueshëm me ujëra të ndenjura apo kafshë mbartëse rrisin ndjeshëm seropozitivitetin në këto kategori profesionale krahasuar me popullatën e përgjithshme.
Përfundime: Profesioni luan një rol kyç në epidemiologjinë e leptospirozës, duke e shndërruar atë në një sëmundje profesionale të rëndësishme në shumë sektorë. Për të reduktuar incidencën e infeksionit, janë të domosdoshme zbatimi i rreptë i masave të sigurisë në punë, përdorimi i pajisjeve mbrojtëse, kontrolli i brejtësve dhe rritja e ndërgjegjësimit shëndetësor te punonjësit e ekspozuar.
Fjalët kyçe: Leptospira spp., seroprevalenca, ekspozimi profesional, zoonozë, faktorë risku.