Description
Hyrje :Rritja e moshës shoqërohet me një sërë ndryshimesh fiziologjike dhe anatomike në strukturat dhe sistemet e ndryshme të organizmit të njeriut. Në mënyrë të veçantë, procesi i plakjes ndikon në sistemin muskuloskeletor, duke shkaktuar ndryshime progresive në masën dhe forcën muskulore. Rënia progresive e masës dhe e forcës muskulore e njohur ndryshe si Sarkopenia kërkon nje analizë mjekësore te hollësishme për shkak te ndryshimit shume të madh të statusit funksional dhe cilësisë së jetës së individëve që e vuajnë. Në të njëjtën kohë për shkak të rënies së masës muskulore dhe forces shpesh shoqërohet me rrëzime të cilat në jo pak raste shoqërohen me fraktura.
Qëllimi i këtij studimi është të vlerësojë dhe të analizojë faktorët predispozues që ndikojnë në shfaqjen dhe zhvillimin e sarkopenisë, duke u përqendruar veçanërisht në faktorët që favorizojnë fillimin e saj në një moshë më të hershme, si dhe përparimin drejt formave më të avancuara. Gjithashtu, studimi synon të shqyrtojë shpeshtësinë, incidencën dhe prevalencën e sarkopenisë, si dhe ndikimin që kjo patologji ushtron mbi gjendjen e përgjithshme shëndetësore, statusin funksional dhe cilësinë e jetës së individëve në moshën geriatrike.
Metodologjia e studimit do të mbështetet në kriteret e konsensusit evropian EWGSOP2 duke u fokusuar në vlerësimin dhe identifikimin e sarkopenisë në popullatën geriatrike. Në këtë kuadër, do të realizohet një analizë dhe përshkrim i hollësishëm i metodave të vlerësimit klinik dhe funksional, sipas kritereve dhe rekomandimeve të përcaktuara në këtë konsensus. Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet vlerësimit të forcës muskulore, masës dhe cilësisë muskulore, si dhe performancës fizike, me qëllim identifikimin dhe përcaktimin e shkallës së rëndesës së sarkopenisë.
Në përfundim, studimi synon të evidentojë lidhjen e drejtpërdrejtë të sarkopenisë me rritjen e rrezikut për rrëzime, dobësimin fizik, humbjen e pavarësisë dhe autonomisë funksionale të individit, si dhe me shfaqjen e frakturave si pasojë e rrëzimeve. Njëkohësisht, do të analizohet ndikimi i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që favorizojnë zhvillimin dhe përparimin e sarkopenisë në popullatën geriatrike, me qëllim evidentimin e rëndësisë së identifikimit dhe vlerësimit të hershëm të kësaj gjendjeje.
Fjale kyce: Sarkopenia, moshë geriatrike, masë muskulare,
EWGSOP2