Description
ABSTRAKT
Hyrje: Sindroma burnout identifikohet si rrezik profesional në sektorin e kujdesit shëndetësor. Personeli i infermierisë ekspozohet ndaj një shkalle cenueshmërie, si pasojë e përgjegjësive të vazhdueshme në kujdesin ndaj pacientëve dhe kërkesave fizike e emocionale që sjell profesioni i tyre. Qëllimi i këtij studimi është qe të identifikojë në mënyrë sistematike faktorët që ndikojnë në Burnout, kënaqësinë në punë dhe nivelet e stresit te infermierët, si dhe sfidat që parashikohen për të ardhmen.
Metodat: Ky studim vëzhgues, analitik dhe cross-sectional përdori pyetësorin gjysmë të standardizuar, i cili iu shpërnda nfermierëve (N=175) gjatë një periudhe 8-mujore (Tetor 2024 – Maj 2025) në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Pyetësori "Maslach Burnout Inventory" (MBI) dhe "Perceived Stress Scale" (PSS) u përdorën për të dhënat. U përdorën në analizë statistikore korrelacioni i Pearson-it, testet t dhe regresion linear. Niveli i domethënies statistikore u vendos në p < 0,05.
Rezultatet: Mosha mesatare rezultoi 32,8±9,45 StD, me interval moshor 21-65 vjeç. Grupmosha 26–35 vjeç dhe gjinia femërore përbënin shumicën e pjesëmarrësve, përkatësisht me 40,0% (70/175) dhe 77,1% (135/175) të rasteve. Analiza identifikoi tre fusha kryesore të faktorëve predispozues: stresi profesional (β = 0,650; p < 0,002), kënaqësia në punë (β = -0,432; p < 0,002) dhe mbingarkesa në punë (β = 0,356; p = 0,003). Njësitë e vijës së parë me kujdes të lartë (Urgjencë/Njësia e Kujdesit Intensiv) shfaqën nivele dukshëm më të larta të burnout emocionale (M = 25.57 kundrejt M = 24.40, p = 0.002) dhe nivele më të ulëta të kënaqësisë në punë (M = 2.78 kundrejt M = 3.12, p = 0.003) krahasuar me repartet e tjera.
Përfundim: Fenomeni i Burnout nxitet kryesisht nga kushtet e modifikueshme sistemike dhe të vendit të punës, në krahasim me dobësitë individuale. Adresimi i kësaj sfide kërkon reforma institucionale, duke përfshirë raportet e mira me personelin, mbështetjen e drejtuesit, kujdesi ndaj shëndetit mendor dhe kulturat e fleksibilitetit në punë. Këto masa janë të nevojshme për të mbrojtur infermierët në të tashmen dhe për të ofruar sigurinë në kujdesin shëndetësor për të ardhmen.
Fjalë kyçe: Burnout infermieristik, stresi në punë, faktorët predispozues, mjedisi i vendit të punës