Description
Hyrje: Mikrobioma e traktit riprodhues femëror përfaqëson një komponent të rëndësishëm të shëndetit gjinekologjik dhe riprodhues. Ekuilibri mikrobial, veçanërisht dominimi i specieve të gjinisë Lactobacillus, kontribuon në mbrojtjen ndaj infeksioneve, modulimin e imunitetit lokal dhe ruajtjen e homeostazës vaginale e endometriale. Ndryshimet e këtij ekuilibri (disbioza) janë shoqëruar me infertilitet, dështim të përsëritur të implantimit dhe komplikacione obstetrikale.
Metoda: U realizua një rishikim narrativ i literaturës bashkëkohore, duke përfshirë studime kohortë, prova të randomizuara të kontrolluara, meta-analiza dhe udhëzime ndërkombëtare mbi mikrobiomën vaginale dhe endometriale. U analizuan metodat diagnostike, përfshirë kriteret Amsel, pikëzimin Nugent, qPCR dhe sekuencimin 16S rRNA/WGS, si dhe lidhja e profileve mikrobiale me rezultatet riprodhuese. Evidenca u plotësua me paraqitjen e një rasti klinik ilustrues.
Rezultatet: Evidencat tregojnë se dominimi i Lactobacillus crispatus lidhet me stabilitetin e mikrobiomës vaginale dhe rezultate më të favorshme riprodhuese, ndërsa rritja e baktereve anaerobe dhe humbja e laktobacileve shoqërohen me inflamacion lokal dhe rezultate më pak të favorshme në fertilitet dhe shtatzëni. Studimet në riprodhimin e asistuar evidentojnë lidhje ndërmjet mikrobiotës anormale dhe uljes së suksesit të implantimit e lindjes së gjallë. Rishikimi evidenton gjithashtu potencialin e analizave molekulare në identifikimin e profileve mikrobiale, veçanërisht në rastet e vaginozës bakteriale rekurrente dhe infertilitetit të pashpjeguar. Megjithatë, mungesa e standardizimit dhe kufizimet e studimeve aktuale kërkojnë interpretim të kujdesshëm klinik.
Përfundime: Vlerësimi i mikrobiomës së traktit riprodhues përfaqëson një mjet premtues për diagnostikimin dhe orientimin e kujdesit riprodhues të personalizuar. Përdorimi i tij duhet të bazohet në indikacione të përzgjedhura dhe të integrohet me vlerësimin klinik, duke mos zëvendësuar metodat tradicionale diagnostike. Nevojiten studime të mëtejshme për përcaktimin e standardeve dhe përfitimit klinik të këtij vlerësimi.
Fjalë kyçe: Mikrobioma riprodhuese; disbioza; Lactobacillus; infertilitet; fertilizimi in vitro.