Speaker
Description
Nga ndërhyrja neurokirurgjikale drejt rikuperimit afatgjatë: Roli i trajtimit pasoperator dhe kujdesit multidisiplinar
Artid Lame MD, PhD, Erion Musabelliu MD, Artur Xhumari MD, PhD
Hyrje: Frakturat osteoporotike të kompresionit të rruazave përbëjnë një problem të rëndësishëm shëndetësor në popullatën e moshuar, duke ndikuar në cilësinë e jetës, lëvizshmërinë dhe pavarësinë funksionale. Kifoplastika vertebrale përfaqëson një metodë minimalisht invazive për trajtimin e pacientëve të përzgjedhur, me synim lehtësimin e dhimbjes dhe përmirësimin e funksionit.
Qëllimi: Të evidentojë rëndësinë e trajtimit pasoperator dhe ndjekjes multidisiplinare në arritjen e rezultateve të qëndrueshme afatgjata te pacientët e moshuar të trajtuar me kifoplastikë vertebrale, bazuar në përvojën klinike të ekipit tonë.
Diskutimi: Rezultati i suksesshëm i ndërhyrjes nuk përfaqëson përfundimin e procesit terapeutik. Menaxhimi i mëtejshëm duhet të përfshijë trajtimin specifik të osteoporozës, parandalimin e frakturave të reja, rehabilitimin fizik, kontrollin e dhimbjes, parandalimin e rrëzimeve dhe monitorimin e gjendjes funksionale. Bashkëpunimi ndërmjet neurokirurgëve, mjekëve të familjes, specialistëve të osteoporozës, infermierëve dhe fizioterapistëve është thelbësor për vazhdimësinë e kujdesit.
Përfundime: Trajtimi pasoperator dhe ndjekja afatgjatë duhet të konsiderohen pjesë integrale e strategjisë terapeutike. Një qasje e koordinuar dhe multidisiplinare synon jo vetëm suksesin e ndërhyrjes, por edhe parandalimin e komplikacioneve, ruajtjen e pavarësisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve të moshuar.
Fjalë kyçe: Kifoplastika vertebrale; osteoporoza; trajtimi pasoperator; kujdesi multidisiplinar; ndjekja afatgjatë; plakja e popullatës.
T3 – Nursing and Long-Term Care