Description
Hyrje: Gabimet preanalitike përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të gabimeve laboratorike dhe lidhen shpesh me marrjen, identifikimin ose trajtimin e papërshtatshëm të mostrave biologjike. Ato mund të cenojnë saktësinë e rezultateve laboratorike dhe sigurinë e pacientit. Ky studim synoi të vlerësonte efektivitetin e ndërhyrjeve edukative dhe të programeve të përmirësimit të cilësisë në reduktimin e gabimeve preanalitike.
Metodat: U realizua një rishikim sistematik dhe metaanalizë në përputhje me udhëzimet PRISMA 2020. Kërkimi bibliografik u krye në PubMed dhe Scopus, duke përfshirë studimet në gjuhën angleze. Studimet e përzgjedhura u përfshinë në sintezën narrative; për ato me të dhëna të përshtatshme u krye metaanalizë me modelin e efekteve të rastësishme. Cilësia metodologjike e studimeve të përfshira u vlerësua me instrumentet e Joanna Briggs Institute. Protokolli u regjistrua në PROSPERO (CRD420261551470).
Rezultatet: Në rishikim u përfshinë 24 studime, prej të cilave 11 ofruan të dhëna të përshtatshme për metaanalizë. Ndërhyrjet përfshinin trajnime të strukturuara, vlerësim të kompetencave, standardizim të procedurave, auditim dhe përmirësim të proceseve të punës. Rezultatet treguan se ndërhyrjet edukative dhe programet e përmirësimit të cilësisë u shoqëruan me një reduktim statistikisht domethënës të refuzimit të mostrave laboratorike. Për hemolizën u vërejt prirje drejt reduktimit, por pa domethënie statistikore. Metaanaliza e përgjithshme eksploruese tregoi se ndërhyrjet shoqëroheshin me tregues më të ulët të gabimeve preanalitike, megjithëse heterogjeniteti ndërmjet studimeve ishte shumë i lartë.
Përfundime: Ndërhyrjet edukative, veçanërisht kur integrohen në programe të vazhdueshme të përmirësimit të cilësisë, shoqërohen me uljen e gabimeve preanalitike dhe përmirësimin e cilësisë së mostrave. Trajnimi i personelit, standardizimi i procedurave dhe monitorimi i treguesve të cilësisë mund të ndihmojnë në përmirësimin e praktikës laboratorike.
Fjalë kyçe: Gabime preanalitike; ndërhyrje edukative; trajnim; cilësi laboratorike; metaanalizë.